Vdes 31-vjeçari që ra nga lartësia e një objekti në ndërtim në Fushë Kosovë
Mëngjesin e së shtunës ka vdekur punëtori që një javë më parë kishte rënë nga lartësia e një objekti në ndërtim në Fushë Kosovë. Viktima është 31-vjeçar.
I njëjti ka qenë duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Kliniken Universitare të Kosovës (QKUK), ku edhe ka ndërruar jetë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar mjeku kujdestar në Mjekimin Intensiv Qendror, Mentor Alimusa.
“Pacienti ka vdekur mëngjesin e sotëm. Ka pasur lëndime serioze në kokë, pra ka qenë në politraumë dhe nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve”, ka thënë Alimusa.
Ndryshe, 31-vjeçari ka rënë nga objekti të shtunën e 4 shkurtit, ndërsa rasti është raportuar nga Policia e Kosovës një ditë më vonë.
“Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore, ka dalë edhe prokurori si dhe inspektori i punës”, thuhej në raportin policor.
Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, pronarë të kompanive punë kryese dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.