Vdes agjenti i dyfishtë i Luftës së Ftohtë
Agjenti i dyfishtë i epokës së Luftës së Ftohtë, George Blake, ka vdekur në Moskë në moshën 98-vjeçare, raportuan autoritetet ruse.
“Oficeri legjendar i inteligjencës, George Blake, ka vdekur sot”, tha një zëdhënës i Agjencisë së Inteligjencës së Huaj në Rusi, SVR.
Blake “e ka dashur sinqerisht vendin tonë dhe ka admiruar arritjet e popullit tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha ai, citon agjencia e lajmeve TASS.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shprehu “ngushëllimet e tij të përzemërta”, duke thënë se Blake ka qenë “një profesionist i shkëlqyeshëm me një vitalitet dhe guxim të veçantë”.
“Në vitet e shërbimit të tij të vështirë dhe intensiv, ai ka dhënë një kontribut me të vërtetë të paçmuar në sigurimin e barazisë strategjike dhe ruajtjen e paqes në planet”, tha Putin.
Blake ka lindur në Holandë në vitin 1922 dhe mbiemri i tij origjinal familjar ishte Behar.
Ai është rritur në Roterdam dhe në Egjipt, përpara se të ndiqte Universitetin e Kembrixhit, për të studiuar rusishten.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ka shërbyer në rezistencën holandeze, edhe pse ka qenë i ri.
Në vitin 1944 është bashkuar me Marinën Mbretërore të Britanisë, ndërsa më vonë është rekrutuar nga Shërbimi Sekret i Inteligjencës, MI6.
Blake është dërguar në Seul dhe është kapur nga forcat e Koresë së Veriut në vitin 1950. Gjatë robërisë së tij trevjeçare, Blake është bërë komunist dhe është rekrutuar nga shërbimi sovjetik i inteligjencës, KGB.
Gjatë nëntë vjetëve, Blake besohet se ka ekspozuar rreth 40 agjentë të MI6-ës te KGB-ja, duke shkaktuar përçarje të mëdha në aktivitetet e MI6-ës në Evropën lindore.