Vdes akademiku Feriz Krasniqi
Sot ka vdekur akademiku Feriz Krasniqi, anëtar korrespodent i AShAK-ut nga viti 1996 dhe anëtar i rregullt nga viti 2000.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Feriz Krasniqi indi më 1931 në Tërpezë të Malishevës, ku kreu edhe shkollën fillore, gjimnazin e ulët e mbaroi në Prishtinë, ndërsa Shkollën Normale në Gjakovë. Më 1954 diplomoi në degën e biologjisë në Shkallën e Lartë Pedagogjike të Nishit, ndërsa më 1961 diplomoi po në degën e biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Shkupit. Një kohë të shkurtër punoi profesor i lëndës së biologjisë në Shkollën Normale të Prizrenit dhe më 1961 u zgjodh asistent në katedrën e biologjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Disertacionin e doktoratës “Vegjetacioni i pyjeve të rajonit kodrinor të Kosovës” e mbrojti në vitin 1968 në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1969 u zgjodh docent, kurse më 1980 profesor ordinar për lëndën sistematika e bimëve të larta në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Prishtinës, ku punoi derisa u pensionua.
Akademik Feriz Krasniqi ushtroi funksione të ndryshme: ishte prorektor i Universitetit të Prishtinës (1973-1975) dhe dy mandate rektor i Universitetit të Prishtinës (1975-1979). Kreu edhe disa funksione shtetërore: deputet i Dhomës të Kombeve të Kuvendit Federativ dhe anëtar i Kryesisë së Kosovës.
Akademik Feriz Krasniqi kërkimet shkencore i kishte orientuar në studimin e florës dhe të vegjetacionit spontan në tërësi, me theks të veçantë të atij të hapësirës kosovare. Që nga viti 1963 e deri së fundi ka publikuar punime të shumta shkencore nga kjo lëmi, të cilat janë botuar në revista të ndryshme shkencore të qendrave të ndryshme universitare. Ka dhënë kontribut të vlershëm në studimin e florës dhe vegjetacionit të Kosovës.
Akademik Feriz Krasniqi ishte i pari studiues vendor, që mbi bazat shkencore u përfshi në studimin e gjithanshëm të florës spontane dhe vegjetacionit spontan autokton të kësaj treve. Gjatë kësaj pune ai ka konstatuar një varg elementesh floristike të reja për florën e Kosovës e më gjerë si dhe ka konstatuar dhe përshkruar varianta e asociacione bimore të reja në trevën e Kosovës. Studimet e tij kanë rëndësi për hulumtimet më të thella në fushën e kërkimeve fundamentale dhe të mbrojtjes së ambientit dhe janë të lidhura ngushtë edhe me shkencat aplikative si agronominë, farmacinë, pylltarinë, veterinarinë, etj. Akademik Krasniqi ka dhënë kontribut të çmuar si themelues i herbarit kombëtar të florës së Kosovës, pranë Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës.
Dr. Feriz Krasniqi, ka marrë pjesë në shumë tubime të ndryshme shkencore dhe është i cituar në literaturën shkencore nga lëmi i florës dhe vegjetacionit.
Për shkallën e afirmimit dhe autoritetit që gëzonte akademik Feriz Krasniqi e vërteton edhe fakti i rëndësishëm që lloji bimor i ri për shkencën e floristikës i gjinisë Cynoglosum (Solenanthus) i zbuluar në masivin malorë të Pashtrikut nga botanicisti i njohur T. Ëraber emërtohet me emrin shkencor Cynoglossum Krasniqii T. Ërab., që bën të ditur se emri i akademik Feriz Krasniqit të jetë i përjetshëm në historikun e shkencës së floristikës.
Akademik Feriz Krasniqi botoi punime të shumta në periodikun shkencor të kohës, mori pjesë në një sërë projektesh shkencore dhe ishte autor ose bashkautor i disa teksteve shkollore dhe universitare.
Për kontributin e tij në lëmin e kërkimeve shkencore, në procesin arsimor-edukativ të shumë brezave, në sigurimin e literaturës së nevojshme nga lëmi i biologjisë, në zhvillimin institucional dhe afirmimin e Universitetit të Prishtinës, u nderua me shumë çmime dhe mirënjohje: më 1975 u nderua me Shpërblimi Krahinor i Dhjetorit, çmimin “Naim Frashëri” për tekstin universitar “Sistematika e bimëve të larta me elementet e filogjenisë” të botuar në vitin 1985. Përveç mirënjohjeve të tjera, në vitin 1995 Senati i Universitetit të Prishtinës ia dha titullin e nderit Profesor emeritus, për merita të veçanta në zhvillimin dhe avancimin e Universitetit të Prishtinës.
Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Feriz Krasniqit, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të dielën në orën 11:00 mbahet mbledhja komemorative dhe në orën 11:30-13:00 bëhen homazhe.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 14:30 në varrezat e Prishtinës.