
Vdes diplomati dhe publicisti Shaban Murati
Diplomati dhe publicisti i njohur shqiptar, Shaban Murati, është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, gazetari Erl Murati, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Faleminderit mjekëve dhe infermierëve të QSUNT, në veçanti Dr. Entela Bashës, të cilët u kujdesën për shëndetin e babait tim, Shaban Muratit, i cili u nda sot nga jeta. Ceremonia mortore mbahet nesër, në varrezat e Sharrës, duke nisur nga shtëpia në rrugën A. Z. Çajupi (pas shkollës Edit Durham) në orën 12:00. Familja pret ngushëllime të dielën, në hotel Mondial në oraret 10:00 – 14:00 dhe 16:00 – 19:00. Të mira e gëzime”, ka shkruar Erl Murati
I lindur më 2 shtator 1945, Shaban Murati ishte një figurë e shquar në diplomacinë dhe publicistikën shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit. Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë.
Murati ishte gjithashtu drejtues i Akademisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë, duke luajtur një rol kyç në formimin e brezave të rinj të diplomatëve shqiptarë. Përveç angazhimeve të tij në diplomaci, ai ishte një autor dhe analist i njohur, duke publikuar një sërë librash mbi çështjet e Ballkanit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.