Vdes e mbijetuara e Holokaustit, Eva Kor
Eva Kor, rumune që i ka mbijetuar Holokaustit dhe ka mbështetur faljen edhe për ata që kanë kryer krimet e Luftës së Dytë Botërore, ka vdekur në moshën 85-vjeçare, ka njoftuar djali i saj.
Ai ka thënë se Kor ka vdekur gjatë një vizite në Krakov të Polonisë.
Kor ka qenë hebreje e Rumanisë, e cila, në vitin 1941, është dërguar në kampin e përqendrimit Auschwitz, në Poloni, i cili drejtohej nga nazistët gjermanë.
Shumica e familjes së saj është vrarë nga nazistët.
Por, ajo dhe motra e saj binjake kanë mbijetuar, edhe pse u janë nënshtruar eksperimenteve çnjerëzore mjekësore.
Pasi ushtria sovjetike ka çliruar kampin më 1945, dy motrat janë zhvendosur në Rumani, për të jetuar me një të afërme të tyre.
Ato kanë shkuar në Izrael kur kanë qenë 16 vjeçe dhe të dyja kanë shërbyer në ushtri.
Kor, e cila është martuar me një mbijetues të Holokaustit, më vonë është zhvendosur në Indiana të Shteteve të Bashkuara, ku ka jetuar më shumë se 30 vjet.
Më 1985, ajo ka themeluar organizatën “CANDLES” për të parandaluar paragjykimet dhe urrejtjen, përmes mësimeve për Holokaustin.
Ajo shpesh ka dhënë leksione, ka shkruar një autobiografi dhe është shfaqur në dokumentarë, zakonisht duke ndarë mesazhe për falje.
Motra e saj, Miriam Zeiger, ka vdekur në vitin 1993 nga kanceri.