Vdes edhe një person nga Covid-19, shkon në 110 numri i përgjithshëm i të vdekurve në Kosovë
14 korrik 2020
| 12:46
Ka ndërruar jetë një 64-vjeçar nga komuna e Gjilanit i cili ishte i prekur nga Covid-19, duke shkuar në 110 numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi në Kosovë.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
“Me keqardhje e mora lajmin për ndarjen nga jeta të A.L. Ngushëllime familjes dhe do t’ju qëndrojmë pranë për ta përballuar. Apeloj qytetarët që t’i përmbahen rregullave në mënyrë strikte për ta parandaluar infeksionin me këtë virus. Ju lutem, mbrojeni veten, familjen, lagjen dhe qytetin tuaj”, ka thënë Haziri.
Ndryshe, brenda katër muajve të përballjes më pandeminë Covid-19, Gjilani ka shënuar 289 raste pozitive, 155 janë shëruar, 128 janë aktive, derisa pesë pacientë kanë ndërruar jetë.