Vdes ish-komandanti i KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt

02 dhjetor 2021 | 14:03

Ish-komandanti i trupave të KFOR-it në Kosovë, gjenerali Klaus Reinhardt, të enjten ka ndërruar jetë.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se Reinhardt ka dhënë një kontribut vendimtar në kthimin gradual të Kosovës në jetë normale, civile dhe rindërtimin e vendit pas luftës. “Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin që është ndarë nga jeta gjenerali Klaus Reinhardt. Krahas mbrojtjes së popullsisë, vendosjes dhe ruajtjes së paqes në Kosovë, roli i gjeneralit Reinhardt ishte vendimtar edhe në dhënien e impulseve të shumta dhe të rëndësishme për rindërtimin e shtëpive private dhe institucioneve publike si dhe në ringritjen e institucioneve civile”, ka shkruar Gërvalla.

Sipas saj, me shërbimin e tij, ai ka dhënë një kontribut të çmuar jo vetëm për Kosovën, por edhe vendin e tij, Gjermaninë. “Me shërbimin dhe udhëheqjen e tij, ai ka dhënë një kontribut shumë të çmuar jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendin e tij, Gjermaninë dhe me të drejtë ka zënë një vend të pazëvendësueshëm në kujtesën kolektive të qytetarëve të Kosovës. I jemi mirënjohës përjetë Gjeneralit Klaus Reinhardt, i cili Kosovën e pati gjithnjë në zemër dhe do të mbetet gjithnjë në zemrat tona”, ka thënë ajo.

Reihardt nga muaji tetor i vitit 1999 deri në prill të vitit 2000 ka shërbyer si komandant i KFOR-it në Kosovë duke qenë në krye të 50 mijë ushtarëve nga 39 shtete të ndryshme.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Durrësit ka vënë në pranga tre persona, për…