![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/02/lutetetari.jpg)
Vdes ish-luftëtari i UÇK-së Xhavit Elshani
Ka ndërruar jetë ish-luftëtari i UÇK-së Xhavit Elshani nga Pirana.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Postimi i plotë i Smajl Latifit:
Më tronditi shumë lajmi i vdekjes së papritur i bashkëluftëtarit tim, Xhavit Elshani nga Pirana.
Ai ishte i dëshmuar në luftën e UÇK-së, si një pjesëmarrës e udhëheqës i aksioneve të shumta e të guximshme kundër pushtuesit serb, gjithashtu, një luftëtar trim e i sprovuar në beteja me armiqtë gjatë gjithë luftës, i plagosur rëndë me 21 janar 1999 në pritën armike të organizuar mbi Fortesë, ku mbeti bashkëluftëtari dhe heroi Skender Rexhepi e u plagosën rëndë bashkëluftëtari hero Fitim Duraku dhe luftëtari Mustafë Bajraktari.
Xhaviti ishte një njeri i dashur, i afërt e i mirë, një luftëtar i shquar dhe epror i zoti i UÇK-së.
Vdekja e tij la të pikëlluar familjen, miqtë, bashkëluftëtarët dhe gjithë liridashësit!
Ngushëllime të gjithëve!
Mbahuni të fortë!
Vepra atdhetare e Xhavitit, përjetësisht do të mbetet në kujtesën tonë!
Nderime dhe lavdi përjetë, Xhavit Elshani!
Pushofsh në paqe, bashkëluftëtar!