VDES ME TRËNDAFILIN

12 dhjetor 2019 | 13:10

Rreth librit me poezi “Vdes me Trëndafilin” të autores Elife Luzha

Shkruan: Mehmet HAJRIZI

E lexova me kënaqësi tufën e poezive tuaja që më dhurove. Aty pashë, prototipin e bijës shqiptare, si Marigonën që lind për të qëndisur flamur, që rritet pranë shtizëz së tij dhe që i jep ngjyrë plisit e bozhurit të Kosovës. Aty pash Norën, Shotën, Margaritën, Ganimeten e Xheven, duke ikur nga djepi, të burrëruara me epe kreshnikësh (në vend ninullash), për t’u bërë jo vetëm shpresa, por edhe jeta e të zezës nënë. Aty pashë Elifen që dëshiron të jetojë përjetshëm si bijë Shqipërie dhe të vdes te ylli polar i idealeve të mëdha.

Në librin “Vdes me trëndafilin” pashë poeteshën me shpirtin e dëlirë e të trazuar, tek i këndon Shqipërisë, që dimrin ia kishte ngrohur, tek i këndon me mall në maje të penës, Kosovës së saj dhe fëmijëve që nuk ia kanë frikën dimrit se gurët bomba i bëjnë, të rënëve e të gjallëve, si copa të atdheut që gjakun e tyre përpinin vetëm këmbë armiku të mos e shkelë, tek i këndon vendlindjes ku motrat me shami rreth vetullës e me lotët e freskët në buzët qershi, që në pragun e derës presin, si në zi. Larg në dhe të huaj, ajo pret në ankth telefonatat e lajmet për dhembjet e lindjes të Kosovës nënë dhe prehet në poezi, që zjarrin për të në shuplakë ia sjell. Një ditë ajo vendos t’i kthehet vendlindjes, sepse e thërrasin me vite gurët, por edhe lumi që t’ia freskoj buzët shkrumb nga malli.

Ajo u këndon ndjenjave njerëzore, mallit e dashurisë, dhembjes e krenarisë, bukurisë fizike e shpirtërore, këngës e poezisë dhe s’do të pushoj së kënduari. Kënga e poetes nuk kuptohet pa përjetimin e dhembjes së shpirtit, pa përjetimin e ndjenjave të saj.

Mirësia

Është në ty njeri

Që akullin shkrin

Me fjalën e pathënë

Është kënga

E shpirtit të ri

Të zgjatë jetën

Si lulja me magji

Mirësia

Bimë e shpirtit

Të mirë

E bën botën

Më të dëlirë

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është hedhur shorti për çerekfinalet e Digitalb Kupës së Kosovës…