Vdes Misin Deliu, dëshmitari i masakrës së Rrezallës
Sot, ka ndërruar jetë Misin Deliu nga Rrezalla, plaku që i mbijetoi masakrës së 5 prillit 1999 në këtë fshat të komunës se Skenderajt.
Deliu ishte dëshmitari kryesor që kishte dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale ndaj dy gjeneralëve serb Lubisha Dikoviq dhe Dejan Rangjelloviq.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra, e cila vjen nga ky fshat. “Para pak ditësh kur po diskutoja në kuvend për themelimin e një Tribunali për të dënuar krimin dhe gjenocidin serb, potencova disa nga dëshmitë rrëqethëse të Masakresës së Rezallës. Njëri prej dëshmitarëve kryesor që i shpëtoi masakrës së 5 prillit, Misin Deliu, mëngjesin e sotëm paska ikur në amshim. Baca Misin, ky burrë i urtë e i dashur, edhe pse ishte plagosur tri herë, i kishte mbijetuar pushkatimit masiv që bëri Serbia në Rezallë dhe kishte rrëfyer dëshminë rrëqethëse të krimit e gjenocidit serb… Misini ishte dëshmitari kryesor që kishte dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale ndaj dy gjeneralëve serb, Lubisha Dikoviq dhe Dejan Rangjelloviq”, ka shkruar Deliu-Kodra në profilin e saj në “Facebook”.
Deputetja e PDK-sw ka shtuar se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për drejtësi, njohje te krimeve dhe dënim të kriminelëve.
/Epoka e re/