Vdes nga koronavirusi policja e Kosovës, ishte shtatzënë
11 gusht 2020
| 08:52
Në tre persona ka shkuar numri i të vdekurve nga koronavirusi në Policinë e Kosovës.
Mirëpo, rast i dhimbshëm ishte para tri ditësh kur institucioni i sigurisë mori informacionin se ka ndërruar jetë policja e Kosovës, e cila ishte në pritje për t’u bërë nënë.
Indeksonline mëson se e ndjera për një kohë u trajtua në Kralevë të Serbisë, derisa nuk arriti ta fitojë betejën ndaj Covid-19.
Policja shtatzënë shërbeu për një kohë të gjatë në Stacionin e Policisë në Komunën e Shtërpcës. Varrimi i saj u bë të shtunën në mesdite.
Ndryshe, zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani, ka konfirmuar rastet e vdekjes në institucionin që punon ai. “Po, 3 zyrtarë deri më tani kanë humbur jetën të cilët kanë qenë të prekur edhe nga Covid-19”, është shprehur ai.