Vdes një 21-vjeçare në burgun e Lipjanit
Një 21-vjeçare ka ndërruar jetë në burgun e Lipjanit. Lajmin e ka bërë me dije Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK).
ShKK-ja ka njoftuar se ajo ka qenë në vëzhgim çdo 30 minuta nga psikologu.
Njoftimi i plotë i ShKK-së:
Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se sot rreth orës 12:42 në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, e dënuara me inicialet M.K, viti i lindjes 2000, ka ndërruar jetë.
Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të qendrës, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë.
E dënuara, në QKF-Lipjan është pranuar me datën 27.04.2021, që nga fillimi deri 18.06.2021 ka qenë në vëzhgim çdo 15 minuta nga psikologu i qendrës.
Po ashtu, nga data 02.11.2021 ka qenë në vëzhgim (observim) çdo 30 minuta, i cili vëzhgim ka vazhduar.
Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa ShKK-ja ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni hetimor administrativ nga ShKK-ja, i cili do të dal me raport administrativ përfundimtar.
Stafi mjekësor i stacionarit të Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin. Autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.