Vdes një 36-vjeçar pasi u godit nga një veturë derisa po kalonte rrugën, ndalohet për 48 orë shoferi
Një 36-vjeçar ka vdekur në Gjilan, pasi është goditur nga një veturë derisa po kalonte rrugën.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Hashani ka bërë me dije se drejtuesi i veturës është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit.
“Ju njoftojmë se më datën 29.08.2024, rreth orës 15:10, në dalje të fshatit Velekincë, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, në mes të një veture dhe këmbësori. Dyshohet se viktima Shtetas i Kosovës, rreth moshës 36 vjeç duke trupuar rrugën, është goditur nga një veturë, me tabela vendore. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësiti i Trafikut Rajonal, dhe ndihma e shpejtë. Mjeku kujdestar ka njoftuar se edhe për kundër ndihmës së ofruar në Emergjencën rajonale në Gjilan viktima ka ndërruar jetë, si pasojë e plagëve të pësuara në aksident”, ka thënë Hashani.
Ai ka bërë me dije se Policia po heton shkaqet se si ka ardhur deri te ky rast.