Vdes një i burgosur në ShSKUK
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se të martën mbrëma rreth orës 22:55 në Klinikën e Neurologjisë së ShSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri, R.S, viti i lindjes 1970.
Sipas një njoftimi për media, i njëjti gjatë mbajtjes së dënimit, gjatë vizitave sistematike nga personeli mjekësor i burgut, është diagnostikuar me tumor malinjë në regjionin e pelvikut, i cili më vonë ka dhënë metastaza të shumta.
“Për trajtim më të mirë dhe më adekuat, që nga 08. 04.2021, i burgosuri ka qenë i shtrirë në Klinikën e Neurologjisë të SHSKUK për trajtim të pasojave të dhëna nga metastazat e tumorit, tërë kohen në bashkëpunim me Klinikën e Onkologjisë. Përkundër angazhimit adekuat të personelit mjekësor të këtyre klinikave, gjendja ka vazhduar të përkeqësohet dhe si pasojë i burgosuri ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet në njoftim, organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore.