Vdes një punëtor i kompleksit metalurgjik “Trepça”

03 prill 2023 | 14:54

Policia e Kosovës ka konfirmuar të hënën vdekjen e një punëtori të kompleksit metalurgjik “Trepça” në ambientet e ndërmarrjes.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se viktima ka rënë nga një lartësi në ambientet e punës.

“Policia ka pranuar informatën se në vendin e tij të punës, brenda kompleksit industrial ‘Trepça’, është gjetur pa shenja jete viktima mashkull, 58-vjeçar. Hetuesit policorë, me autorizim të prokurorit, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të rastit”.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ka thënë mes tjerash Zahiti.

Kompleksi metalurgjik Trepça gjendet në Komunën e Mitrovicës dhe ka rreth 1.300 punëtorë.

Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Trepça është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri për të punuar me presidentin…