Vdes një shqiptare në Itali, u godit nga shoferja e dehur
Shqiptarja 56-vjeçare është goditur për vdekje nga një shofere e dehur në Itali.
Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:15 në Fano, në provincën e Pesaros, ka raportuar mediumi italian, pu24.it.
Sipas raportimeve, shkaktare e aksidentit është një 35-vjeçare, e cila ishte duke vozitur e dehur. Viktima ishte duke ecur në anën e djathtë të korsisë, ndërsa shoferja nuk kishte arritur të ndalej me kohë.
“Në bazë të asaj që u gjet, duket se gruaja ka qenë duke ecur në anën e djathtë të korsisë para goditjes. Gruaja duket se është përplasur nga një makinë Smart. Drejtuesi i kësaj të fundit mësohet të ketë qenë një grua rreth 35 vjeçe, gjithashtu banuese në Fano. Gruaja duket se nuk ka arritur të ndalojë në kohë, duke e goditur 56-vjeçaren. Goditja ka qenë aq e dhunshme sa që zonja shqiptare nuk i ka shpëtuar dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas rikonstruksioneve fillestare, drejtuesja e mjetit është ndalur menjëherë për të ofruar ndihmë”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.