Vdes Rasim Thaçi-Cima, personalitete nga politika ngushëllojnë familjen
Sot në moshën 71-vjeçare ka vdekur humoristi i njohur Rasim Thaçi – Cima.
Ai nuk mundi ta përballojë virusin Covid-19, ku qëndroi për disa ditë i shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK
Familja e të ndjerit, ka njoftuar se varrimi i Rasim Thaçit – Cima do të bëhet nesër (e shtunë) në fshatin Vukovc, në orën 13:00.
Ndërkaq personalitete nga politika kanë ngushëlluar familjen Thaçi, raporton “Epoka e re”.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se lajmi për humbjen e artistit Rasim Thaçi – Cima ishte i hidhur.
Ajo ka thënë se Cima ishte artist i cili në kohërat më të vështira na bëri të qeshim me humorin e tij. “Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve”, ka shkruar Jahjaga në llogarinë e saj në “Facebook”.
“Më shokoi lajmi për vdekjen e aktorit tonë të dashur Rasim Thaçi – Cima, mikut tim, me të cilin pinim kafe tek lokali jonë i preferuar në Breg të Diellit”, ka shkruar në rrjetin social “Facebook” kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.
Ai ka thënë se për gjeneratën e tij, por edhe shumë gjenerata të tjera më pas, të cilat ndiqeshin e përndiqeshin nga pushtuesi serb e ku ëndrrat kishin nisur të veniten, Cima me miqtë e tij, Lecin e Qumilin, nuk na lanë asnjëherë të humbim shpresën.
“Cima refuzoi ta ndalë buzëqeshjen, sepse e dinte se një popull kishte sytë nga ai. Me ikjen e tij, sa të hershme aq të padrejtë, ne humbëm Çaplinin tonë shqiptar – por jo edhe buzëqeshjen, sepse këtë na mësoi Cima. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë popullit të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.
Me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit, humoristi, Rasim Thaçi – Cima, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ngushëlluar familjen Thaçi.
Ai ka thënë se Cima do të mbetet artisti jonë më i dashur për shumë breza që e kanë ndjekur në skenë.
“E nderuara familje Thaçi. Me pikëllim pranova lajmin për ndarjen nga jeta të familjarit tuaj, artistit tonë të madh Rasim Thaçi – Cima. Cima do të mbetet artisti jonë më i dashur për shumë breza që e kanë ndjekur në skenë, e kanë shikuar në televizion dhe e kanë duartrokitur për shumë vite. Cima u dha buzëqeshje e i ngrohi zemrat tona në ditë gëzimi, e sidomos në ditët më të rënda për vendin tonë. Cima ishte dhe do të mbetet një nga yjet më të ndritshëm të një plejade artistësh që i dhanë ngjyrë epokës së historisë të vendit tonë, shumë dashuri dhe në këmbim mori duartrokitjet dhe mirënjohjen e pafund, ashtu siç e donte ai. Më lejoni që t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e familjarit tuaj, Rasim Thaçi dhe ikjen e artistit tonë të dashur”, thuhet në telegramin ngushëllues të liderit të LDK-së.
Edhe ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka ngushëlluar familjen Thaçi me rastin e ndarjes nga jeta të humoristit Cima.
“Na paska lanë Cima, një nga figurat më markante të artit skenik në #Kosovë. Kemi me të kujtu përjetë mes buzëqeshjes dhe lotëve, me mallë e krenari. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka shkruar në rrjetet sociale Çitaku.
Familjen Thaçi e ka ngushëlluar edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Ai ka thënë se Rasim Thaçi-Cima ishte një aktor i vërtet.
“Sot na paska lënë humoristi ynë i madh Rasim Thaçi i cili me personazhin e tij fiktiv Cima, na bëri të gjithëve të qeshim. Vërtetë një aktor i madh. Fizikisht ai nuk është më me ne, por biografia tij e pasur dhe emri tij i njohur do të jetojë përgjithmonë! Familjes Thaçi, miqve dhe kolegëve të tij i shprehi ngushëllimet e mia”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ish-ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për vdekjen e aktorit të mirënjohur e shumë të dashur, Rasim Thaçi.
Ajo ka thënë se Cima me forcë kultivonte aktrimin, në shumë role në televizion.
“Cima aktor i madh. Më shumë se aktor ishte rafinim i sensit të së vërtetës. Nuk kishte plane të caktuara se ku do të arrijë. Intuiten e lente ta çonte ku do ajo. Jetonte me atë qa po ndodh. Humori i mirë i zgjati gjithmonë. Si lloj prove përfundimtare, e kishte luftën me Covid-19. Edhe në këtë betejë takohej me vetën si aktor. Veçse në humor; edhe në jetën e përditshme zbulonte problemin e situatave të ndërlikuara. Në çdo vepër aspironte. S’ishte as e lehtë as e pamundshme. Aktrimi ishte orgjia më pasionante brenda tij. Një jetë kushtuar publikut. Materiali i tij nuk ishte kurrë i njëjti. Si njeri, çdo herë prirej prej kthejlltësisë. Aktrimi ishte sekuencë e gjatë. Shansi i Cimës i përkohshëm – jeta e shkurtër. Ai vepron dhe është çdo herë me ne. Prehu në paqe, Cimë!”, ka shkruar Dumoshi.
Po ashtu edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ngushëlluar familjen Thaçi për vdekjen e humoristit Cima.
Limaj ka thënë se Rasim Thaç, i njohur si Cima, me humorin e tij gazmor ai kurrë nuk u ndal.
“Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të humoristit tonë të madh Rasim Thaçi-Cima. I ndjeri do të mbetet përherë në kujtesën tonë për rolet e tij në shumë projekte dhe performanca artistike.
Me humorin e tij gazmor ai kurrë nuk u ndal, duke qenë prezent nëpër familjet tona përmes ekraneve televizive, madje edhe në kohëra aspak të lehta për kombin shqiptarë. Vdekja e Cimës padyshim është humbje e madhe për familjen e tij, komunitetin e artistëve dhe më gjerë. Në emër të Nismës Socialdemokrate i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë atyre që e kanë njohur të ndjerin”, ka shkruar Limaj në rrjetet sociale.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin e ikjes së aktorit dhe humoristit të madh Rasim Thaçi-Cima.
“Sot Kosova u varfërua, mbeti pa ikonën e humorit, aktorin dhe njeriun e mirë që na fali shumë kujtime. Humori i tij ishte dritë edhe në ditët tona më të errëta, ishte rezistencë ndaj sistemit shtypës, ishte shpresë për ditë më të mira! Ai na bëri të qeshim gjithë jetën e tij. Ne sot jemi të pikëlluar, sepse ikja e Cimës do ta lë një zbrazëtirë të madhe. Por, ne do ta kujtojmë përherë me mall humorin e tij!
Ngushëllime familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë popullit të Kosovës!”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në “Facebook”.