Vdes Remzi Baloku, themelues i ilegales për bashkim të trojeve shqiptare
Ka ndërruar jetë në mbrëmjen e së dielës së 11 Prillit 2021, në moshën 88 vjeçare, Remzi Baloku nga Peja, themelues në vitin 1959 i ilegales me emërtimin “Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare”, e cila veproi deri në vitin 1964, respektivisht deri në zbulimin e saj nga UDB-ja jugosllave, për çfarë, tashmë i ndjeri Remzi Baloku, ishte dënuar me 10 vite burg të rëndë, së bashku me bashkëveprimtarët e tij.
Remzi Baloku, deri në çastet e fundit të jetës, ishte Kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë të Kosovës, dega në Pejë.
Lajmin e kobshëm, fillimisht e ka bërë të ditur për ‘RADIO 1’ vëllai i të ndjerit, Ryzhdi Baloku.
“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot me 11.04.2021, në orën 20:30 ka ndërruar jetë Remzi Baloku. Varrimi i të ndjerit bëhet me datën 12.04.2021, sipas rregullave të përcaktuara për pandemi. Funerali niset në ora 14:00 nga Gasallhanja te varrezat e qytetit.”-deklaroi ai.
Ka reagur menjëherë edhe ish-kryeministri dhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj.
“Tronditës lajmi për ndarjen nga jeta të mikut tim z. Remzi Baloku.
Baci Remzi nisi rezistencën kundër pushtuesit në rininë e hershme, duke dhënë shembullin më të mirë që shqiptarët nuk do të qëndrojnë duarkryq karshi robërisë.
Ndajmë dhembjen me familjen Baloku dhe të gjithë ata që e njohën.
Baci Remzi u prehtë në paqen e përjetshme!”-ka shkruar pak para mesnatës Haradinaj.