Vdesin 13 persona nga rrëzimi i helikopterit në Meksikë
Nga rrëzimi i një helikopteri në Meksikë kanë vdekur 13 persona dhe 15 të tjerë janë lënduar, transmeton “Reuters”.
Incidenti ka ndodhur derisa helikopteri ishte duke bartur disa zyrtarë që po vlerësonin dëmin e një tërmeti të fuqishëm në jug të Meksikës.
Zyra e Prokurorit të Shtetit të Oacaxa-s, ka thënë përmes një deklarate se pesë gra, katër burra dhe tre fëmijë janë vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa një person tjetër ka vdekur më vonë në spital.
Një zyrtar qeveritar që nuk ka qenë i autorizuar për t’u cituar, ka thënë se helikopteri është rrëzuar mbi një grup të njerëzve, të cilët kanë qenë duke kaluar natën nën qiellin e hapur, pas tërmetit të fuqishëm 7.2 shkallësh, që ka goditur këtë zonë.
Në helikopter kanë qenë Sekretari i Brendshëm, Alfonso Navarrete dhe guvernatori i Oaxaca, Alejandro Murat, mirëpo asnjëri prej tyre nuk kanë pësuar lëndime serioze.
Navarrete dhe Murat, ishin duke vlerësuar dëmin nga tërmeti që ka ndodhur para se të rrëzohej helikopteri.
Sipas matësve amerikanë, tërmeti në këtë zonë ka qenë 7.5 shkallë, ndërsa më vonë është ulur intensiteti në 7.2 shkallë.
Presidenti Enrique Pena Nieto, ka thënë përmes rrjetit social “Twitter” se zyrtarët janë në gjendje të mirë, ndonëse departamenti i ministrisë së Brendshme, ka thënë se ata kanë lëndime të lehta. (Rel)