Vdesin pesë fëmijë nga zjarri në një kopsht në Pensilvani
Pesë fëmijë kanë mbetur të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur kur të dielën një zjarr e ka kapluar një qendër të kujdesit ditor në Erie të Pensilvanisë, ShBA.
Viktimat janë të moshës tetëmuajshe deri në shtatë vjet.
Zyrtarët kanë thënë se flakët dyshohet se kishin filluar të përhapen në dhomën e qëndrimit në katin e parë të objektit.
Dyshimet e para lidhen me një inspektim të bërë në fillim të vitit, sipas të cilit prizat ishin të arritshme edhe për fëmijët pesë vjeç. Gjithashtu janë parë edhe mbetje të cigareve, të cilat ishin të ndaluara në hapësirën e kujdesit për fëmijë.
Megjithatë inspektorët ende janë duke vazhduar hetimet për këtë ngjarje, në të cilën i lënduar mbeti edhe pronari i kopshtit bashkë me fqinjin e tij, të cilët kishin tentuar t’i shpëtonin fëmijët.