Vdiq në moshën 100 vjeçe fituesi më i moshuar i çmimit Nobel në botë
John Goodenough, fituesi më i vjetër i çmimit Nobel në botë, i cili luajti një rol vendimtar në zhvillimin e baterisë litium-jon, ka vdekur në moshën 100-vjeçare.
Ai ndërroi jetë të dielën, sipas Universitetit të Teksasit në Austin, ku ai punonte si profesor inxhinieri.
“Trashëgimia e John si një shkencëtar i shkëlqyer është e pamatshme”, tha rektori i Universitetit të Teksasit në Austin, Jay Hartzell.
Bateritë litium-jon fuqizojnë miliona automjete elektrike në mbarë globin.
Universiteti i Teksasit e përshkroi atë si një “shërbëtor publik të përkushtuar, një mentor të kërkuar dhe një shpikës brilant por të përulur”.
Goodenough u nderua me çmimin Nobel në kimi në vitin 2019 në moshën 97-vjeçare për punën e tij në bateritë, duke përfshirë zhvillimin e baterisë litium-jon.
Bateria e lehtë dhe e fuqishme ndezi një revolucion në teknologji, duke hapur rrugën për elektronikë moderne portative si laptopët dhe telefonat celularë. Bateritë luajnë gjithashtu një rol kritik në fuqizimin e pajisjeve më të mëdha moderne, duke përfshirë panelet diellore, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv
I lindur në Gjermani në vitin 1922 nga prindër amerikanë, Goodenough u rrit në veri-lindje të ShBA-së dhe shërbeu në ushtrinë amerikane si meteorolog gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai diplomoi bachelor për matematikë në Universitetin Yale, si dhe doktoroi për fizikë në Universiteti i Çikagos.
Zbulimet e tij “përmirësuan jetën e miliarda njerëzve në mbarë botën”, tha Hartzell. “Ai ishte një lider në avantazhin e kërkimit shkencor gjatë shumë dekadave të karrierës së tij dhe ai kurrë nuk pushoi së kërkuari për zgjidhje inovative për ruajtjen e energjisë”.
Goodenough filloi karrierën e tij në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, ku punoi për 24 vjet dhe ndihmoi në zhvillimin e kujtesës me akses të rastësishëm për kompjuterin.
Atje, ai u bë një nga themeluesit e teorisë moderne të magnetizmit, e cila ka luajtur një rol kryesor në fushën e telekomunikacionit.
Kohët e fundit, Goodenough dhe ekipi i tij në Universitetin e Teksasit kishin hulumtuar mënyra të reja të ruajtjes së energjisë, duke përfshirë një bateri të bërë prej xhami.