Veli Bytyqi i bashkohet Fatmir Limajt
Ish-gazetari shumëvjeçar, publicisti dhe politikani Veli Bytyqi, në Ditën e Çlirimit të Malishevës i është bashkuar Nismës Socialdemokrate të udhëhequr nga Fatmir Limaj.
Kështu kanë bërë me dije burimet e gazetës “Epokës së re”.
“Epoka e re” ka kontaktuar Bytyqin për këtë hap të tij dhe kthimin në jetën politike.
Ai e ka konfirmuar anëtarësimin në partinë e Fatmir Limajt, pikërisht në Ditën e Çlirimit të vendlindjes së tij, Malishevës.
“Po nga sot kapacitetin tim intelektual e njerëzor do ta jap brenda subjektit politik Nisma Socialdemokrate, krahë Fatmir Limajt. Do të kontribuojë me gjithë qenien time për Kosovën nëpërmjet Nismës Socialdemokrate. Loja ende nuk ka përfunduar, ka nevojë vendi për burra e gra që munden e duan t’i japin akoma këtij vendi, nuk e meritojnë të injorohen shumë aktivistë që çdo gjë e kanë dhënë për vendin me dekada, jo nga dje”, ka thënë ndër tjera Veli Bytyqi për “Epokën e re”.
Kujtojmë se Veli Bytyqi ka qenë edhe këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.