Veli Bytyqi, kandidat i Nismës për deputet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar kandidatin e radhës për deputet në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Veli Bytyqin.
“Kam kënaqësinë të prezantoj Veli Bytyqin si kandidat për deputet të NISMA Socialdemokrate. Veli Bytyqi është një personalitet me një karrierë të gjatë si gazetar, publicist dhe aktivist në çështje të rëndësishme politike. Nga përgatitja akademike, ai është master në Shkencat e Komunikimit Masiv – Gazetari. Ka qenë gazetar shumëvjeçar në të përditshmen ‘Rilindja’ dhe ‘Bujku’, redaktor dhe zv.kryeredaktor, si dhe kryeredaktor i kësaj gazete për shumë vite. Po ashtu, ka ushtruar detyrën e drejtorit të ‘Radio Rilindjes’”, ka shkruar Limaj në “Facebook”.
Ai ka thënë se Veliu ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare para dhe pas luftës, si dhe aktivist në shumë procese të jetës politike, publike e shoqërore. “Ka qenë deputet në vitet ’90 nga radhët e PSHDK-së. Aktivizmi i tij në çështje politike të hershme dëshmon angazhimin e tij të pandërprerë për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe forcimin e shtetit ligjor. Veliu dhe ekipa e NISMA-s garantojnë përkushtim dhe angazhim për vendin, dhe rrjedhimisht suksesi është i garantuar”, ka shkruar Limaj.