Veliaj i dhuron “Çelësin e Qytetit” ministres austriake
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka pritur në një takim ministren Federale të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, Karin Kneissl.
Fjalët e saj të para iu kushtuan transformimit që ka pësuar kryeqyteti shqiptar në vitet e fundit.
“Tirana ka ndryshuar, falë edhe politikave të përgjegjshme të ndjekura për zhvillimin e saj”, ka thënë ajo, teksa u shpreh e vlerësuar edhe për marrjen e “Çelësit të Qytetit” nga kryebashkiaku Veliaj.
Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës ka theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera historike që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Austrisë, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Austria i jep Shqipërisë në proceset integruese.
Në frymën e kësaj miqësie që ekziston mes Austrisë dhe Shqipërisë, por edhe të bashkëpunimit mes Tiranës dhe qyteteve austriake, kryebashkiaku Veliaj i dhuroi ministres Kneissl “Çelësin e Qytetit”.