Veliaj nga ShBA-ja: Teatri do bëhet, Tiranën s’e mbajnë dot peng histerikët e dështakët
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga Denveri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë i në konferencën vjetore me temën “Qytete që rriten me gjelbërim”, në të cilën ka prezantuar kryeqytetin shqiptar dhe projektet transformuese të tij, është shprehur se qyteti nuk mund të ndalet në rrugën për të ecur përpara me Teatrin Kombëtar, “Unazën e Re”, zgjatimin e “Lanës” apo “Bulevardin e Ri”, pavarësisht kundërshtive që mund të kenë pakica të caktuara të lidhura me politikën.
Kryebashkiaku ka thënë se ashtu siç janë kundërshtuar çdo gjë e mirë e bërë nga Bashkia e Tiranës për qytetarët në këto 4 vjet, edhe projekti i Teatrit të ri do të zhvillohet dhe kryeqyteti do ketë një teatër modern, bashkëkohor, i cili do t’i shërbejë si aktorëve, ashtu edhe artdashësve.
“Kemi kaluar disa sfida në mandatin tonë të parë: mbaj mend këndet e lodrave, protestat kundër tyre. Edhe këtu në Amerikë shumë prej projekteve që sjellin ndryshim përshkohen nga një sens histerie, protestash apo pakënaqësie. Megjithatë, kur ndryshimi vjen, përqafohet nga të gjithë. Në Tiranë ndryshimi do të vijë edhe për çështje shumë të debatueshme, si zgjatimi i Lanës, Unaza e Madhe, Teatri i Ri Kombëtar, por janë ndryshime absolutisht të nevojshme dhe të pakontestueshme. Pra, nuk mundet që qyteti të mbahet peng prej disa minorancave që do ekzistojnë gjithmonë, dhe gjithmonë nuk do të bien dakord. Më vjen mirë se si Tirana, në aktivitetin më të madh të bashkive në ShBA, është sot imazhi i një Shqipërie moderne, i një Shqipërie që po ndryshon, që ka plot probleme, por që më e mira është përpara”, ka thënë Veliaj.
Duke iu referuar pikërisht temës së diskutimit të këtij takimi, kryebashkiaku është shprehur i kënaqur që Tirana është përzgjedhur si model suksesi për nismat në shtimin e gjelbërimit, duke filluar nga zbatimi i projektit të “Pyllit orbital” e deri investimet në parqe, çka ka sjellë edhe një frekuentim masiv të tyre.
“Jam shumë krenar për të gjitha ato që kemi arritur në Tiranë. Një nga gjërat për të cilat po shquhet Tirana janë hapësirat e gjelbra. Sapo kemi filluar rehabilitimin e Parkut Rinia, kemi mbaruar Parkun e Liqenit, që është parku tradicional i Tiranës, por ambicia për 4 vitet e tjera është që të vazhdojmë me Parkun e Kasharit, me Parkun e Farkës. E mbi të gjitha, të vijojmë me Parkun Qendror te Bulevardi i Ri dhe parkun linear në të dyja brigjet e lumit të Tiranës. E shohim Bulevardin e Ri jo vetëm si një hapësirë të financës dhe teknologjisë, të hoteleve të ardhshme, por e shohim kryesisht të lidhur me parqet që do të ndërtohen në atë zonë”, ka thënë ai. /Top Channel/