Veliaj pret kampionin dhe nënkampionin e Evropës në mundje: Do të mbështesim skuadrën tonë olimpike
Bashkia e Tiranës do të marrë disa vendime për të mbështetur me anë të granteve skuadrën olimpike të Shqipërisë, në prag të lojërave që do të mbahen në Paris gjatë këtij viti.
Kështu deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në takim me përfaqësues të skuadrës olimpike, ku ishin të pranishëm Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev, të cilët disa ditë më parë sollën në Shqipëri titujt e kampionit dhe nënkampionit të Evropës në mundje.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të prisja skuadrën tonë të mundjes, Zelimkhanin dhe Islamin, në një Tiranë dhe Shqipëri që ka nevojë për modele pozitive si ata. Ne si Bashki do të marrim disa vendime: së pari, do të japim një grant, nëpërmjet klubeve tona, edhe për Komitetin Olimpik Shqiptar. Puna që po bën Fideli dhe e gjithë skuadra, që po përgatitet për të shkuar në Paris, nderon Shqipërinë. Këtë herë kemi shumë shanse. Sigurisht, Tokyo ishte një përvojë e jashtëzakonshme, por tani e kemi ngritur nivelin, kam shumë besim që do të bëjmë një performancë edhe më dinjitoze në Paris”, ka thënë Veliaj.
Ai theksoi se Tirana do të vazhdojë të ruajë mbështetjen për sportin dhe sjelljen sportive me të njëjtin standard si gjatë vitit që lamë pas, kur mbajti titullin “Qyteti Evropian i Sportit”. Veliaj nënvizoi se kryeqyteti do të mirëpresë edhe Kongresin Botëror të Mundjes, si dhe dy kampionatet U23 dhe për të rritur.
“Ne duam jo vetëm të japim një grant për Komitetin Olimpik, për të pasur një prezantim sa më dinjitoz, por duam të vazhdojmë edhe këtë vit të sillemi me të njëjtin standard, për ta kthyer në rutinë, me ose pa titullin Qyteti Evropian i Sportit, sjelljen sportive dhe mbështetjen për sportin. Mezi pres të mirëpresim në Tiranë Kongresin Botëror të Mundjes dhe të mbështesim edhe dy kampionatet U23 dhe për të rritur. Fakti që sot kemi në mundje edhe vajzat, që po trajnohen dhe po afrohen te sporti, pavarësisht se në dukje është një sport luftarak; fakti që sot përveç dy çunave janë 22 sportistë të tjerë që trajtohen, do të thotë se të paktën në Tiranë skuadrën tonë të mundjes, që është edhe skuadra jonë olimpike, e kemi sjellë në një nivel që nuk i lë asgjë mangët çdo niveli tjetër evropian dhe botëror”, ka shtuar Veliaj.