Veliaj promovon tregun e Baldushkut
Në prag të festave të fundvitit, me mbrëmjen e Krishtlindjes që kremtohet sot dhe më pas darka e ndryshimit të viteve, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u ka bërë thirrje qytetarëve të kryeqytetit të blejnë e të konsumojnë gjelat “firmato” të Baldushkut, një zonë e njohur për rritjen e tyre.
Veliaj, pasi u njoh me kushtet e tregtimit të shpendëve, të kthyer në traditë për tavolinat e qytetarëve për festat e fundvitit, për të tretin vit me radhë në Baldushk, ka theksuar se rritja e gjelit të detit është kthyer në “patentë” identifikuese për zonën, gjë që u jep mundësi qytetarëve të blejnë produkte të certifikuara nga shërbimi veterinar dhe me çmime më të lira.
“E kemi kthyer në traditë për tri vite me radhë, që gjeli i detit të Baldushkut është i pazëvendësueshëm në tavolinën e çdo qytetari të Tiranës. Ashtu siç ka rroba firmato dhe makina me logo të shtrenjta, gjeli ‘firmato’ i Shqipërisë është gjeli i Baldushkut”, është shprehur Veliaj.
Vetëm vitin e shkuar, në Tiranë u shitën rreth 28 mijë gjela deti, duke gjeneruar rreth 1.4 milionë dollarë. Ndaj, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të konsumojnë produkte të zonës, sepse kështu kontribuojnë edhe në rritjen e ekonomisë lokale.