Veliu: ‘Brigadat e kuqe’ sërish dolën në sipërfaqe për ta mbjellë farën e së keqes
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur tubimin zgjedhor në Podujevë.
Me këtë rast, kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, para të pranishmëve, duke iu referuar Vetëvendosjes, ka thënë “Brigadat e Kuqe” kanë dalë sërish në sipërfaqe për ta mbjellë farën e së keqes.
Ai ka thënë se pas 14 shkurtit do të rrëzohen edhe të gjitha piramidat e sondazheve.
Sipas tij, sondazhet janë duke u bërë “sa jep para aq ke përqindje në sondazhe”.
“‘Brigadat e kuqe’ promovuese të diktaturës komuniste-leniniste, që i solli vetëm të këqija popullit shqiptar sërish doli në sipërfaqe për të mbjellë farën e së keqes. Ata këto ditë për të dëshmuar se kush janë po shpërndajnë dhe po i lidhin shiritat kuq gjithandej nëpër Kosovë”.
“Këtë po e bëjnë për ta treguar se po e realizuan ëndrrën e tyre pas 14 shkurtit, do ta skuqin Kosovën, por jo ne s’do t’i lejojmë. Dhe sikur të realizohej ky iluzion, njëmend do të skuqej dhe izolohej Kosova sipas modelit të vendeve komuniste nën diktaturë pas luftës së dytë botërore. Më 14 shkurt do të shuhen të gjitha iluzionet dhe do të rrëzohen të gjitha piramidat e sondazheve që po ndërtohen në bazë të kriterit të tregut të lirë. Pra, sa para aq përqindje në sondazh”, ka thënë Veliu.