Veliu: Çështja e azilkërkuesve në Kosovë po menaxhohet mirë
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Agim Veliu, ka pritur në takim njoftues shefin e UNHCR-së në Kosovë, Erol Arduc si dhe koordinatoren e zhvillimit të OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson.
Në këtë takim, ministri Veliu i ka njoftuar Arducin dhe Richardson për punën e MPB-së në menaxhimin e fushës së migrimit në këtë periudhë të pandemisë, duke theksuar se çështja e azilkërkuesve në Kosovë është duke u menaxhuar mirë.
Gjithashtu, në këtë takim është diskutuar për situatën e krijuar me masat e fundit që ka marrë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ndihmës që mund të japin OKB-ja dhe UNHCR-ja, përmes programeve të tyre në Kosovë, në funksion të menaxhimit të kësaj situate.
Bashkëbiseduesit kanë theksuar se ekziston një bashkëpunim i mirë në mes të MPB-së, OKB-së dhe UNHCR-së dhe shprehën gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit nëpërmjet projekteve të përbashkëta, me theks të veçantë në fushën e migrimit.
Krahas situatës së krijuar nga pandemia dhe çështjes së emigrantëve, është biseduar edhe lidhur me çështjen e sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës, ku është theksuar se është e qetë dhe stabile.