Veliu, dembeli më i madh i qeverisë; Hoti, pengues i saj
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti. Bislimi, në “Debat Plus”, ka thënë se Hoti i ka shkaktuar dëme qeverisë, sidomos me disa deklarata. Ai ka treguar se Hoti ka dhënë deklarata të veta dhe i ka paraqitur si qëndrime të qeverisë.
“Hoti kurrë nuk i ka sjellë ato si propozime në qeveri”, ka thënë Bislimi.
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve thotë se ka takuar kompani të internetit për t’i sqaruar keqkuptimet që ka krijuar Hoti me deklarata.
“Unë është dashur të mbaj disa takime që t’i relativizoj dëmet që ka shkaktuar ai”, ka thënë Bislimi dhe, sipas tij, Veliu në publik është stigmatizuar Agim Veliu, por Abdullah Hoti ka qenë oponenti më i madh në qeveri. “Në publik është stigmatizuar zoti Veliu, si oponenti më i madh i kësaj qeverie. Ai, mbase, ka qenë dembeli më i madh në qeveri, por oponenti më i madh në qeveri ka qenë Avdullah Hoti”, ka thënë Bislimi dhe ka treguar se Avdullah Hoti që në ditën e parë e ka penguar punën e qeverisë.