Veliu drejton akuza ndaj Vjosa Osmanit, e quan përkthyese të Thaçit
Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i është përgjigjur akuzave të bashkëpartiakes Vjosa Osmanit e cila tha se Veliu dhe të tjerët përkundër faktit se s’kishin marrë pjesë fare në zgjedhje, dhe përkundër që s’kishin ndihmuar në zgjedhje, ata u bënë zëri kryesor në LDK dhe kërkonin që të kishin rolin themelor brenda qeverisë.
Veliu përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, e ka quajtur Osmanin përkthyese të Thaçit.
E cila, sipas tij, asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj. “Po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme”, ka shkruar Veliu.
Ai ka thënë se LDK-ja i kishte ofruar Vjosa Osmanit fillimisht të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Mitrovicës, prej nga vjen, por kishte refuzuar.
“Po ashtu në zgjedhjet lokale të vitit 2017 i është ofruar kandidatura të garonte për kryetare të kryeqytetit, që apriori e kishte refuzuar, duke u arsyetuar se nuk ka kohë.
Ne nuk jemi fshehur pas askujt, sepse i kemi fituar të gjitha zgjedhjet lokale dhe nacionale në Komunën e Podujevës”, ka deklaruar Veliu.
“Të thuash se votuesi i LDK-së përkrahë një kryeministër dhe një parti që ia mbyll telefonin Shtëpisë së Bardhë dhe e izolon Kosovën nga aleati ynë historik, është një hipokrizi tjetër”, ka thënë Veliu.
Shkrimi i plotë i Agim Veliut:
Fitoret radhazi në zgjedhjet lokale dhe nacionale flasin më së miri
Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme.
LDK-ja i kishte ofruar Vjosa Osmanit fillimisht të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Mitrovicës, prej nga vjen, por kishte refuzuar. Po ashtu në zgjedhjet lokale të vitit 2017 i është ofruar kandidatura të garonte për kryetare të kryeqytetit, që apriori e kishte refuzuar, duke u arsyetuar se nuk ka kohë.
Ne nuk jemi fshehur pas askujt, sepse i kemi fituar të gjitha zgjedhjet lokale dhe nacionale në Komunën e Podujevës.
Ndërkaq, humbjet në Mitrovicë dhe në Degën e Tretë në Prishtinë kanë qenë të njëpasnjëshme, mes tjerash edhe për shkak të rolit të saj destruktiv e me ambicie karrieriste.
Kur është dashur që të mos rrezikohet komuna, në zgjedhjet lokale më është kërkuar t’i kthehem garës për kryetar komune dhe kam lënë pozitën e deputetit dhe i jam rrekur punës dhe, si rezultat i angazhimit tim dhe elektoratit besnik të LDK-së, i kam fituar zgjedhjet.
Kur u kandidua për kryeministre, LDK-ja në të gjitha sondazhet, përfshirë edhe ato të oponentëve politikë, ishte e para me diferencë prej 7%, por në zgjedhje doli e dyta.
Në vend që të marrë përgjegjësi për humbjen, sillej si fituese. Ndoshta ka të drejtë, sepse fitoren e VV-së e konsideronte fitore të saj.
Të thuash se strukturat e partisë, duke përfshirë Kuvendin e LDK-së, Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë dhe Kryetarin, nuk përfaqësojnë votuesin e LDK-së, është hipokrizi.
Të thuash se votuesi i LDK-së përkrahë një kryeministër dhe një parti që ia mbyll telefonin Shtëpisë së Bardhë dhe e izolon Kosovën nga aleati ynë historik, është një hipokrizi tjetër.
Të thuash se dialogun me Serbinë duhet ta udhëheqë një kryeministër, i cili nuk ka guxim ta marrë udhëheqjen e dialogut dhe refuzon ftesat amerikane për përfshirje në dialog, është një paradoks tjetër.
Të thuash e përkrahi qëndrimin amerikan për dialogun e taksën dhe njëkohësisht e përkrahi një kryeministër që shpërfill kërkesat e Departamentit të Shtetit, është kontradiktore.
Të thuash se 90 deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk përfaqësojnë legjitimitet qytetar, është mungesë elementare e njohjes së demokracisë që buron nga vota e popullit.
Ta kundërshtosh partinë tënde që ta udhëheqë shtetin dhe dialogun, siç ka bërë në të kaluarën, por edhe tani, është keqpërdorim i besimit të partisë dhe elektoratit.
Këto paradokse dhe anakroni gjejnë përgjigje te ajo thënia popullore: “han bukën e shtëpisë, bën argatin e kojshisë”.
Ka dalë në oborrin e një fqinji që ka pretendime për shtëpinë e saj dhe është bërë me të, kundër shtëpisë së vet.
Po e fajëson shtëpinë e vet pse po e mbron pragun e vet, e po i duken normale synimet gllabëruese të fqinjit pretendues ndaj shtëpisë së saj.
Por, me të nuk do të merrem më. Sepse ajo këtë e pret. Prej kësaj është rritur. Por, fatkeqësisht nuk është maturuar.