Veliu: E dua titullin e kampionit me Llapin
Sulmuesi i talentuar i Llapit, Valmir Veliu, është lojtari më i mirë i momentit në BKT Superligën e Kosovës, duke udhëhequr klubin “Zahir Pajaziti” drejt fitoreve dhe rezultateve pozitive në kampionat dhe Kupën e Kosovës.
Për formën e tij, objektivat dhe thashethemet e transferimit, Veliu ka folur në një intervistë për “Telegrafin”. Llapi e ka nisur sezonin pranveror në mënyrë të përkryer duke arritur tri fitore dhe një barazim në kampionat, teksa ka kaluar edhe në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pasi ka eliminuar Ferizajn.
Një nga lojtarët më meritor në këtë nisje të sezonit pranveror pa dyshim se është edhe sulmuesi 21-vjeçar Valmir Veliu. Veliu ka qenë vendimtar me golat dhe asistimet e tij këtë sezon, në veçanti në ndeshjet e pranverës, duke shënuar në udhëtimin te Drita në barazimin 1-1 dhe dy gola të tjerë në fitoren 3-0 ndaj Malishevës. Reprezentuesi i Kosovës U-21 gjithashtu ka asistuar në fitoren 0-2 ndaj Ferizajt në Kupën e Kosovës dhe fitoren 2-0 ndaj Ulpianës në Superligë. “Po, jam duke kaluar në formë të mirë. Edhe objektivat individuale janë që t’i ndihmoj ekipit për arritjen e objektivit që është dalja në Evropë dhe pse jo edhe titullin kampion në Superligën e Kosovës”, ka thënë fillimisht Veliu, i cili më pas ka folur edhe për objektivat personale, duke thënë se dëshira e tij është t’i ndihmojë skuadrës së Llapit në rrugën drejt përmbushjes së objektivit. “Me këtë formë, mendoj që të shënoj më shumë gola që t’i ndihmoj ekipit për t’i arritur objektivat që kemi së bashku. Numri i golave për mua nuk ka rëndësi”, ka shtuar ai.
Veliu nuk është duke menduar momentalisht për të ardhmen, pasi është i fokusuar në skuadrën nga Podujeva. “Transferimi? Për momentin jam i fokusuar vetëm te Llapi që ta jap maksimumin dhe, sa iu përket ofertave, do ta shohim në fund të kampionatit me kompaninë time menaxheriale KA Sportmenagment. Kampionati i preferuar? Nuk ka rëndësi kampionati se ku dua të luaj, pasi të gjitha janë në nivel të lartë, por normalisht me punë mund të arrihet gjithçka”, ka deklaruar Veliu.
Në këtë sezon Veliu ka zhvilluar 19 ndeshje në BKT Superligën e Kosovës, duke shënuar 8 gola dhe 6 asistime, ndërsa në të gjitha garat 21-vjeçari ka 23 paraqitje, duke shënuar 9 gola dhe 8 asistime.