Veliu kërkon nga qytetarët të qëndrojnë sa më larg armëve ilegale dhe dhunës
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) është mbajtur takimi i tretë lokal koordinues për implementimin e udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme të armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve të tyre në Ballkanin Perëndimor.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në cilësinë e koordinatorit nacional për kontrollin e armëve të lehta dhe kontrollin e eksplozivëve, ka thënë se kjo ministri është e interesuar që ta zbatojë udhërrëfyesin në përpikëri, duke përfshirë edhe planin e veprimit të strategjisë, raporton “Epoka e re”.
“Ne mburremi me sukseset dhe profesionalizmin e Pikës së Kontaktit për Armë (FFP) në kuadër të Policisë së Kosovës, e cila në mënyrë brilante kryen detyrat dhe angazhimet në fushën e shkëmbimit të informatave, në kohë reale, me institucionet kompetente, gjurmimin kombëtar dhe ndërkombëtar, prodhimin e raporteve si dhe produkteve inteligjente në fushën e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta. Pika e Kontaktit për Armë shërben edhe si një praktikë shumë e mirë në rajon”, është shprehur Veliu.
Gjatë këtij takimi, ministri Veliu ka falënderuar donatorët dhe partnerët për kontributin e tyre, në veçanti Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës, UNDP-në në Kosovë si dhe SEESAC-in, për përkrahje të vazhdueshme në këtë fushë, por edhe për këshillat profesionale dhe përkrahjen teknike.