Veliu me akuza të rënda ndaj Abdixhikut: Je tepër i vogël

29 dhjetor 2021 | 12:26

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka drejtuar akuza të rënda në drejtim të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se Abdixhiku ka hyrë nga dritarja në LDK për t’i marrë çelësat e partisë që t’ua mbyllë “derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe me sakrificë e mbajtën dhe e ngritën për 30 vjet”.

“Lumirit, që tinëzisht hyri në LDK dhe luan rolin e gardianit me çelësa në dorë, i them se je tepër i vogël t’ua mbyllësh dyert gardianëve të vërtetë që e ndërtuan LDK-në e madhe. LDK nuk është një lodër që për fatin e saj të vendosë një tinejxher politik.  Prandaj, do të dështojë edhe misioni yt që trenin e LDK-së ta shndërrosh në një vagon, të cilin synon t’ia bashkangjesësh lokomotivës së kuqe”, ka shkruar Veliu në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ky reagim i Veliut ka ardhur pasi Abdixhiku në një debat televiziv kishte folur me tone negative për deputetin dhe ish-kryetarin e Podujevës.

Postimi i plotë i Veliut:

Në vend se të marr përgjegjësi dhe bashkë me kandidatin e tij të kërkojnë falje për humbje në garë për Podujevën, Lumir Abdixhiku, që hyri nga dritarja në LDK, i paska marr çelësat e partisë që t’ua mbyllë derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe me sakrificë e mbajtën dhe e ngritën për 30 vjet.

Autokratit të katapultuar në krye të partisë, që paska kërcënuar me mbyllje dyersh e diferencime, ia bëj me dije se është anëtarësia e LDK-së ajo që vendos për vendin e secilit në parti dhe jo ai me vendime kundërstatutare.

Heshtja e deritashme nuk do të thotë se unë si kryetar i Degës së LDK-së do të dorëzohem përballë ndërhyrjeve kundërligjore dhe kundërstatutare të Lumirit, në degën e Podujevës.

Lokomotivisti Abdixhiku paska thënë se nuk do të ketë kthim mbrapa të trenit, të cilin ai tashmë e konsideron pronë të tij.

Këtë dëshmoi në përvjetorin e 32-të të LDK-së, ku të pranishmit në sallë, i konsideroi si vagonët e tij.

“Unë dhe ju”.  Kështu iu drejtua Lumiri “admiruesve” të tij në disa raste. Në 32 vjetorin e themelimit të LDK-së ai shkarazi përmendi kontributin e themeluesve të saj.

Më pastaj “lideri” i ri ishte përkujdesur ta ndajë LDK-në në katër dekada-periudha.

Në podiumin me logon e LDK-së, pa ngjyrat e saj identifikuese, “lideri” u tregoi ndjekësve të tij se tash po fillon dekada e tij në parti dhe ai mund të ndërrojë jo veç ngjyrat, por edhe logon e partisë.

“Lideri”, që po shpërfaqte hapur tiparet narcisoide në formë çrregullimi, rrahte gjoks duke përsëritur refrenin: “Unë dhe ju…”

Lumiri i vogël, i katapultuar në vend të madh, ndjekësve të ekzaltuar harroi t’u thotë: “S’ka rëndësi nëse deri dje ua kam sharë partinë, liderët e veprimtarët. Sot jeni kopeja ime. Më ndiqni mua, shpëtimtarin tuaj”.

Kërkoi ta ndjekim lokomotivën që ai drejton, pasi e di mirë se në cilët binarë synon ta çojë për të realizuar ëndrrën e tij dhe të atyre që ia dhanë për mision ta bëjë këtë.

Lumirit, që tinëzisht hyri në LDK dhe luan rolin e gardianit me çelësa në dorë, i them se je tepër i vogël t’ua mbyllësh dyert gardianëve të vërtetë që e ndërtuan LDK-në e madhe.

LDK nuk është një lodër që për fatin e saj të vendosë një tinejxher politik.

Prandaj, do të dështojë edhe misioni yt që trenin e LDK-së ta shndërrosh në një vagon, të cilin synon t’ia bashkangjesësh lokomotivës së kuqe.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me ardhjen e dimrit në Evropë dhe rritjen e çmimeve…