Veliu: Me LV-në s’po bisedojmë për të lëshuar pe, posti i presidentit i takon LDK-së
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka bërë me dije se sot nuk do të ketë takim me zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e koalicionit qeverisës.
“Nuk do të ketë takim sot sepse jemi të zënë me aktivitetet e partisë. Por kurdo që Lëvizja Vetëvendosje thërret në takim ne jemi të gatshëm të takohemi”, ka thënë Veliu pas homazheve të varri i ish-kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova me rastin e 30-vjetorit të themelimit të kësaj partie.
Më tutje, Veliu ka thënë se me Vetëvendosjen nuk është duke u biseduar për të lëshuar pe në raport me postin e presidentit. Ai ka thënë se kjo pozitë i takon LDK-së.
Sipas Veliut është e tepërt që Vetëvendosjes t’i takojë kryeministri dhe presidenti.
“Nuk po bisedohet për të lëshuar pe, por pozita e presidentit i takon LDK-së. Në këtë raport forcash që një parti të ketë edhe kryeministrin edhe presidentin”, ka thënë Veliu, duke shtuar se emrin e presidentit do ta bëjnë publik kur të vije koha.
“Jemi duke biseduar që ta gjejmë një zgjidhje. LDK-ja duhet ta ketë të drejtën për kandidatin për president. Emrin nuk kemi sot, kur të vijë koha do ta bëjmë publik emrin”, është shprehur Veliu.