Veliu merr mbështetje nga ambasadori Kosnett për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Agim Veliu, ka mbajtur takim virtual me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett.
Temë kryesore e këtij takimi ishin prioritet e MPB-së, me theks të veçantë forcimi i luftës kundër të gjitha formave të krimit të organizuar, korrupsionit, parandalimit e luftimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, raporton “Epoka e re”
Gjithashtu, në takim është diskutuar edhe për situatën aktuale të pandemisë dhe zbatimin e masave për parandalimin dhe mbrojtjen nga Covid-19, sipas manualit të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Me këtë rast, ministri Veliu e ka falënderuar ambasadorin Kosnett për mbështetjen e fuqishme që ShBA ka dhënë për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sektorin e sigurisë në përgjithësi.
Ndërsa ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ka theksuar se bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojë, përfshirë edhe me ato që sigurojnë sundimin e ligjit.
Ai ka thënë se bashkëpunimi me institucionet e sigurisë ka përparësi të lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).