Veliu njofton ambasadorin gjerman me prioritetet e MPBAP-së
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), Agim Veliu, ka pritur në takim njoftues ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.
Në këtë takim, Veliu e ka njoftuar Heldt për prioritetet e kësaj ministrie gjatë këtij mandati, përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe organizata tjera, liberalizimin e vizave dhe të gjitha proceset tjera që janë të rëndësishme për Kosovën.
Më tutje, Veliu ka falënderuar ambasadorin për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe përkrahjen e madhe që i ka dhënë Gjermania Kosovës në të gjitha proceset e saj shtetformuese.
Ai ka theksuar edhe rëndësinë e madhe që Kosova dhe Gjermania të thellojnë bashkëpunimin e tyre në luftën kundër çdo krimi në Kosovë, përfshirë krimet ekonomike, luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit.
Ministri Veliu ka vlerësuar se është lajm tejet i rëndësishëm për hapat që do të ndërmerren në njohjen e patentshoferëve për të gjithë qytetarët e Kosovës në Gjermani dhe shtetet tjera në zonën Shengen.
Ndërsa ambasadori Heldt, fillimisht ia ka uruar detyrën e re ministrit Veliu dhe ka theksuar se shteti i tij do të vazhdojë të mbetet një prej mbështetësve kryesorë në vazhdimin e forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.