Veliu, Osmanit: Ke punuar kundër LDK-së, nuk mund ta ndash partinë
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka konfirmuar mbrëmë se është duke e shqyrtuar mundësinë e krijimit të një partie të re.
Ndaj këtij paralajmërimi të Osmanit kanë ardhur reagime nga LDK-ja.
Nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu ka thënë se Osmani tash e një kohë të gjatë është kundër partisë që drejtohet nga Isa Mustafa.
“Ajo ka kohë që është jashtë LDK-së me punë dhe veprime. Me trup ka qenë në LDK deri më tash”, ka thënë Veliu pas një takimi që kishte me nënkryetarin tjetër të LDK-së dhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.
Veliu ka thënë se Osmani nuk mund ta përçajë LDK-në.
“Lidhja Demokratike deri tash është treguar historikisht se nuk mund ta ndajë askush. Mund të ndahen individë, kushdo qofshin, por LDK është vështirë të ndahet”, ka thënë Veliu.