Veliu priti në takim shefin e zyrës diplomatike të Belgjikës
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka pritur në takim njoftues shefin e Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë, Jean-Luis Servais.
Ministri Veliu gjatë këtij takimi vlerësoi se është tejet me rëndësi që institucionet e Kosovës të rifillojnë fushatën për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në këtë takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të këtyre dy vendeve sidomos në mes dy policive për luftimin e të gjitha formave të krimit dhe terrorizmit.
Në këtë aspekt ministri Veliu u shpreh i kënaqur që Policia e Kosovës ka arritur standarde dhe vepron sipas standardeve ndërkombëtare.
Ministri Veliu e falënderoi shefin e zyrës belge për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Belgjikës, në konsolidimin e shtetit si dhe mbështetjen e institucioneve në zbatimin e ligjit.
Ndërsa Jean-Luis Servais u zotua se Republika e Kosovës do të ketë përkrahjen e Mbretërisë së Belgjikës, sidomos në përmbushjen e obligimeve të agjendës evropiane dhe fuqizimin e ligjit në Kosovës.
/Epoka e re/