Veliu takohet me zëvendësambasadoren e Francës, bisedojnë për liberalizimin e vizave
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Agim Veliu, ka pritur të mërkurën në takim zëvendësambasadoren e Francës në Kosovë, Carole Blestel-Feffer, me të cilën ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave.
Në këtë takim me theks të veçantë është biseduar për avancimin e bisedimeve që janë zhvilluar në mes të kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron në takimin e Parisit për procesin e liberalizimit të vizave.
Po ashtu, janë diskutuar propozime dhe modalitete për mënyrën se si do të vazhdohet të dialogohet më tutje mes dy vendeve dhe për formatet e delegacioneve, me qëllim që të ketë avancim të mëtejmë të këtij procesi jetik për qytetarët e Kosovës.
Të dy palët kanë vlerësuar se ky proces është shumë i nevojshëm që të vazhdohet me një dinamizëm të shtuar dhe për këtë ministri Veliu ka premtuar se Ministria e Punëve të Brendshme është e gatshme për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave që dalin nga ky proces.
Në këtë takim është diskutuar edhe për menaxhimin e situatës me Covid-19 dhe për angazhimin e të dy vendeve në luftimin e këtij virusi që ka përfshitë të gjithë botën.
(F.D/Epoka e re)