Veliu thotë se institucionet e kanë humbur kredibilitetin
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka deklaruar se institucionet e Kosovës nuk janë duke kryer punën e tyre për çka janë të zgjedhura.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se sa më shpejt që Kosova lirohet nga këto institucione, aq më mirë do të jetë për vendin.
Ai pas homazheve te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka folur dhe për përplasjet në mes të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi.
“Kjo është për keqardhje sepse institucionet e Kosovës nuk janë duke kryer punën e tyre për çka janë të zgjedhura. Këto përplasje janë jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën dhe për përpjekjet e popullit shqiptar që të integrohet ashtu siç i ka synimet dhe ashtu siç na ka trasuar rrugën presidenti Rugova. Këto institucione e kanë humbur legjitimitetin dhe kredibilitetin për ta drejtuar vendin dhe sa më shpejt është më mirë që Kosova të lirohet nga institucione të tilla”, ka thënë Veliu, duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje.