Veliu: Zgjedhjet e reja nuk janë larg
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka thënë se mbajtja e mbledhjes së Kryesisë së LDK-së me kryetarët e degëve është në funksion të ndërtimit të qëndrimit të kësaj partie sa i përket dialogut dhe çështjeve të tjera që janë më interes për Kosovën.
Në këtë kontekst ai ka thënë se qëndrimi definitiv i LDK-së për dialogun, zgjedhjet dhe çështjet e tjera do të dihet pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.
Por sipas Veliut, LDK-ja insiston në zgjedhje të reja dhe ato nuk janë larg.
“Mbledhja e Kryesisë së LDK-së me kryetarët e degëve është në funksion të ndërtimit të qëndrimit të LDK-së sa i takon dialogut dhe çështjeve të tjera që janë më interes për Kosovën, por edhe ngritjes dhe mbajtjes së frymës të LDK-së për zgjedhjet eventuale që për ne nuk janë larg. Kështu që ne po punojmë në dy drejtime, edhe me strukturat e LDK-së gjithandej Kosovës por edhe me grupin e deputetëve në mënyrë që të shkojmë nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën LDK-ja do ta ketë qëndrimin definitiv sa i takon dialogut dhe çështjeve të tjera që janë me interes për Kosovën”, ka deklaruar Veliu.
Ai ka bërë me dije se janë duke punuar edhe me partitë e tjera për rrëzimin e Qeverisë, duke thënë se kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin.
Sipas Veliut, sa më parë që të rrëzohet kjo Qeveri, aq më mirë do të jetë për Kosovën.
/Epoka e re/