Vëllai i Astrit Deharit, sinjalizues? Deputeti i PDK-së me akuza të rënda ndaj LV-së
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka ngritur sot akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me rastin Dehari që është riaktualizuar pas zhdukjes së mostrave që është lajmëruar në muajin dhjetor. Por, kësaj here ai ka folur për rastin e vëllait të Astrit Deharit, Arbnorit.
Deputeti Berisha ka ngritur aludime të forta në foltoren e Kuvendit të Kosovës për rastin e vetëvrasjes së Arbnor Deharit, vëllai i aktivistit Astrit Dehari.
Ai dyshohet se kishte kërcyer nga kati i gjashtë i një ndërtese në lagjen “Mati I” në Prishtinë më 11 qershor 2014, tri ditë pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014.
Deputeti Berisha ka ngritur pretendime edhe për këtë rast.
“Parakusht i dytë (për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit) është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbnorit. Cilat ishin motivet që e shtynë në vetëvrasje? Për shkak të ndjeshmërisë, askush s’e ka marrë guximin të flas publikisht, por tani është sekret publik që përfliten emra zyrtarësh me të cilët ka qenë i involvuar dhe në rolin e sinjalizuesit. Indikative mbetet po ashtu edhe emërimi i rrugëve të Prishtinës me emrin ‘Vëllezërit Dehari’. E unë pyes se cili ishte roli i tyre?”, ka thënë ai.
Këto akuza Berisha i ka bërë derisa ministrja Albulena Haxhiu e godiste tavolinën para saj duke u munduar që ta ndërpriste fjalën e tij. Më pas ajo ka bërtitur “Marre” dhe “i keni duart me gjak” për rastin e Astrit Deharit.