Vëllai i Donjeta Pajazitajt flet pasi rasti i vrasjes së motrës së tij u kthye në rigjykim
Gjykata e Apelit sot ka marrë vendim që ta kthejë në rigjykim rastin e Naser Pajazitajt, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt me burgim të përjetshëm për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj.
“Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të të akuzuarit N.P. dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, duhet që të anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, PKR.nr.9/20 i datës 7 korrik 2021, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Në anën tjetër, vëllau i së ndjerës Donjeta Pajazitaj, Shkëlqim Pajazitaj, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se familja e së ndjerës nuk e ka pritur që të merret një vendim i tillë, duke u bazuar në faktet e mjaftueshme të paraqitura kundër të pandehurit.
“Ne si familje nuk kemi pritur që të merret ky vendim pasi që ka pasur fakte të mjaftueshme kundër të pandehurit. E gjithë drejtësia mund t’i hedhë poshtë faktet por si mund ta hedhin poshtë faktin kryesor ku e kemi rastin e vajzës së të pandehurit që u revoltu dhe është fjalosur me të në prezencë të policisë. Sinqerisht, ne kemi pritur që do të zbulohet ndonjë bashkëpunëtor ose arsyeja që e ka shtyrë Naserin ta kryejë këtë vepër”, ka thënë Pajazitaj.
Ai ka thënë se si familje janë lodhur me procesin gjyqësor, andaj edhe nuk dijnë se çfarë të bëjnë tutje.
“Ne si familje e Donjetës jemi lodhur tash e gjashtë vite, më nuk po dimë as si të veprojmë e as çfarë të bëjmë, por do t’ia lëmë Prokurorisë ajo i di procedurat si duhet të vazhdohet tutje. Të shohim tani deri ku është ndërgjegjja e Prokurorisë”, ka thënë Pajazitaj.
Në njoftimin e Gjykatës së Apelit bëhet e ditur gjithashtu se Naser Pajazitaj do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim deri në marrjen e një vendimi tjetër për të nga gjykata e shkallës së parë.
Kujtojmë se sipas Prokurorisë në ditën kritike, Donjeta përderisa ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.