Vëllai i ish-presidentit Thaçi sot e vizitoi, konfirmon që ai është mirë me shëndet
Më 26 prill 2023, faqja me emrin “UÇK ma thojnë emrin” në TikTok, ka publikuar një fotografi të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me përshkrimin se ai ka pësuar sulm në zemër.
Ky informacion i rremë ka marrë “dheun” nëpër rrjete sociale, saqë ai i ka shqetësuar shumë edhe përkrahësit e Thaçit.
I kontaktuar nga Gazeta10, vëllai i ish-presidentit Thaçi, Idriz Thaqi, i cili sot ka qenë për vizitë në Hagë, ka thënë se para 2 orësh e ka përfunduar vizitën tek i vëllai në Hagë dhe ish-presidenti Thaçi është shumë mirë me shëndet.
“Sot ishim për vizitë te ai në Hagë. Shëndosh e mirë është dhe nuk ka pasur kurrfarë telashesh me shëndetin. Më vjen keq që janë shqetësuar të tjerët prej lajmeve të rrejshme kinse ai ka pasur sulm në zemër. Ishin shqetësuar edhe shumë familjarë nga këto shpifje qëllimkëqija, të cilët më kishin kontaktuar sot gjatë ditës sa isha në vizitë. Unë para 2 orësh e përfundova takimin me të.
Para disa ditësh e ka pasur edhe ditëlindjen dhe i uruam që në ditëlindjen tjetër, ai me gjithë shokët e tij, që të gjithë të jenë të lirë dhe të festojnë së bashku në Kosovë”, ka thënë vëllai i ish-presidentit Thaçi, Idriz Thaçi.
Deklarata e rreme, që po qarkullon nëpër rrjete sociale është: “Sulm në zemër Presidenti Thaqi dje Zot ndihmoj shërim te shpejt”.