Vëllai i Liridona Ademajt pret dënim kapital ndaj të akuzuarve: E mirëpresim aktakuzën
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt që ishte vrarë më 29 nëntor të vitit 2023, është deklaruar para mediave pas konferencës së Prokurorisë ku është njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tre të dyshuarve për rastin e 30-vjeçares.
Ai ka thënë se presin dënim kapital ndaj tani të akuzuarve.
“E mirëpresim ngritjen e aktakuzës. Pra në emër të familjes ju falënderojmë të gjithë, edhe prokurorinë dhe hetuesinë. Ne kemi besuar në drejtësi dhe vazhdojmë të besojmë. Ajo çfarë duam është që sa më shpejt gjykata të vendosë një dënim kapital që të lehtësojë zemrat tona dhe të fëmijëve të saj sadopak”, tha ai
Leonard Ademaj është pyetur se cili është motivi i vrasjes.
“Akoma nuk e kemi lexuar aktakuzën, kur ta lexojmë do ta shohim edhe ne. Është një ditë e rëndë për ne”, ka thënë Ademaj.