Vëllai i Vasfije Krasniqit: E kemi ditur se një ditë do të ballafaqohemi me opinionin publik
Vëllai i Vasfije Krasniqi-Goodman, Nafi Krasniqi, ka thënë se familja e ngushtë gjithmonë ka mbështetur Vasfijen pas përdhunimit që i ka ndodhur asaj gjatë luftës në Kosovë.
Nafiu, në emisionin ‘PasDite”, në “RTV Dukagjini”, ka thënë se pas rastit të rëndë që i kishte ndodhur të motrës gjatë luftës ai thotë se e kanë ditur se në shoqërinë tonë “faturën” do ta paguante Vasfija.
Ai thotë se për shkak të raporteve që familja e tij kishte me pushtetin serb në atë kohë, dyshon se rasti i vasfijes ka qenë i qëllimshëm për ta goditur familjen e tyre.
“Ajo që i ka ndodhur Buqes (Vasfijes) na ka tronditur neve dhe ne si familje kemi përjetuar tmerrin e luftës. Asnjëherë nuk kemi diskutuar për Buqen në aspektin negativ, por gjithmonë kemi menduar në aspektin pozitiv për të. Gjithmonë kemi menduar si ta mbështesim atë”.
Nafiu thotë se edhe familja e nënës edhe e babës na kanë mbështetur që ne të fillojmë në kërkimin e drejtësisë.
“Ne gjithmonë e kemi ditur se një ditë do të ballafaqohemi me opinionin për rastin e Vasfijes. Është fat që Vasfija e ka një bashkëshort të jashtëzakonshëm. Gjithë këto aktivitete nuk do të mund të bëheshin pa mbështetjen e tij”, ka deklaruar ai.
Vëllai i Vasfije Krasniqit, tashmë është pjesë e një shoqate e cila do të kërkon drejtësi për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë.
Ai thotë se këto viktima deri tani nuk kanë pasur as mbështetje juridike.
Nafiu thotë se shoqata “Drejtësi për të gjithë” do të ofrojë mbështetje logjistike dhe juridike për viktimat e dhunës seksuale madje po llogarisin edhe për ngritjen e një padie për gjenocid. “Do të bëjmë dokumentimin e krimeve. Pa dënimin e krimeve nuk mund të ketë qetësi”, tha ndër të tjera Nafi Krasniqi.