“Vëllai im u vra, na keni injoruar”, motra e zyrtarit të doganës ua pret rrugën Kurtit, Konjufcës dhe ministrave
Adelina Berisha, motra e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha, i cili është gjetur pa shenja jete në oborr të Doganës në prill të këtij viti, “ua ka zënë rrugën” kryeministrit dhe ministrave të tij, derisa ata po ecnin në sheshin e Prishtinës, më përkrahje të kandidatit të tyre për kryeqytet, dhe ka kërkuar zbardhjen e këtij rasti.
Para kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, kryekuvendarit Glauk Konjufca, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kandidatit të LV-së për Prishtinën, Aben Vitia, e zyrtarëve tjerë të partisë që gjendeshin aty, ajo ka kërkuar të dijë nëse po punohet për zbardhjen e këtij rasti, që ajo e quajti vrasje.
Adelina është ankuar se ministri Sveçla nuk e ka pritur në takim, as nuk i ka kthyer përgjigje, megjithëse ka kërkuar disa herë.
“Po ju pyes juve dhe zotëri Sveçlën, vëllai im Luan Berisha zyrtar i lartë në doganë u vra në oborr të doganës më 17 prill dhe nuk e kemi asnjë përgjigje deri tash. Kemi kërkuar takim, na keni injoruar dhe nuk kemi asgjë deri tash, dhe desha të ju pyes, a jeni duke e luftuar krimin siç na keni premtuar apo jo”, ka thënë ajo.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka thënë se po kryhen hetime.
“Jemi duke e luftuar dhe organet e rendit janë duke u marrë me gjitha këto dhe merren”, ka thënë Murati.
Ajo ka insistuar se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje për rastin e vëllait të saj.
“Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje, asnjëherë, asnjëherë. Ju kemi votuar për me luftuar krimin. Vëllai im u vra më 17 prill në oborr të doganës dhe nuk kemi përgjigje që gjashtë muaj e gjysmë dhe na keni injoruar totalisht”, ka thënë ajo dhe është larguar.