Vëllaznimi kërkon pikët e shpresës ndaj Bashkimit
Në mesjavë do të zhvillohet xhiroja e 24-t në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll. Sfida e parë do të jetë ndërmjet Vëllaznimit dhe Bashkimit, që do të jetë shumë e rëndësishme për të dy skuadrat.
“Kuqezinjtë” ndodhen në vendin e fundit me 30 pikë, por nuk janë dorëzuar për të mos rënë nga elita, ndërsa prizrenasit kanë grumbulluar tri pikë më shumë.
Takim interesant pritet edhe ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Rahovecit në kryeqytet. “Bardhekaltrit” deri më tani kanë 32 pikë, kurse “Vreshtarët” renditen në vendin e tretë me 37 pikë.
Golden Eagle Ylli, që ndodhet në vendin e dytë me 38 pikë, do të përballet me Trepçën, që ka 32 pikë. Të dyja skuadrat kanë synime të ndryshme në këtë edicion dhe fitorja është e rëndësishme për të dyja palët.
Ylli konsiderohet favorit, por mitrovicasit kanë treguar formë të lartë në stinorin pranveror, andaj pritet një ndeshje interesante. Peja – Ponte Prizreni është përballja e fundit për këtë xhiro. Pejanët nuk janë në formë të mirë në ndeshjet e fundit, kurse e kundërta është për prizrenasit që janë liderë dhe ndodhen në formë shumë të mirë.
“Verdhezinjtë” janë në vendin e katërt me 35 pikë, kurse Ponte në vendin e parë me 39.
FIVE STAR Superliga – Java 24
Të mërkurën takohen:
16:00 Vëllaznimi – Bashkimi
18:00 Sigal Prishtina – Rahoveci
Të enjten takohen:
16:00 Golden Eagle Ylli – Trepça
18:00 Peja – Ponte Prizreni