Vëllezërit Bresha ranë në pritë, njëri humbi jetën
Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e vona të pasdites së sotme në qytetin e Tepelenës, ku mësohet se dy vëllezër kanë rënë pre e një atentati.
Në vendin e ngjarjes mësohet se persona ende të panjohur kanë qëlluar fillimisht shtetasin Artur Bresha i cili punonte roje në një kompani inertesh duke e lënë të vdekur.
Më pas ata kanë qëlluar edhe vëllanë e tij, Artan Bresha, i cili qëndronte në dyqan. Siç shkruan “Lapsi.al”, policia nuk ka dhënë ende detaje lidhur mbi ngjarjen e rëndë dhe mbi motivet e saj, por i plagosuri Artan Bresha nuk është një emër i panjohur për uniformat blu.
Në vitin 2017 ai është ndaluar nga Policia e Gjirokastrës me 1 ton lëndë narkotike marijuanë. “Lënda narkotike ishte vendosur në brendësi të furgonit me targa TP 0765 B dhe po udhëtonte në drejtimin e Sarandës. Policia u vu në ndjekje të trafikantëve, duke bërë të mundur arrestimin e njërit prej tyre, Artan Bresha, 35 vjeç, nga Tepelena, ndërsa tre personat e tjerë u larguan, tashmë të shpallur në kërkim. Nga këqyrja që iu bë furgonit rezultoi se në to ishin vendosur 400 pako me pesha të ndryshme, të mbështjella me letër natriban, ndërsa e gjithë sasia e lëndës narkotike arrinte 1 ton”, thuhej në komunikatën e policisë.